Shpella e Kabashit, Kanjoni i Holtës dhe Ujvara e Sotirës, Gramsh/Elbasan/Shqipëri | 26-27 shtator 2026

Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Prishtina” ju fton të merrni pjesë në aksionin e radhës – vizita në: Shpellën e Kabashit, Kanjonin e Holtës dhe Ujvarën e Sotirës, Gramsh/Elbasan/Shqipëri, më 26-27 shtator 2026.

Kur flitet për bukuritë natyrore të Gramshit, vend kryesor zë Shpella e Kabashit. Është një nga shpellat më unike në Shqipëri dhe ndoshta nga më të bukurat në Ballkan. Ndodhet në afërsi të fshatit Kabash, 28 km nga qyteti Gramsh në lartësinë 900 m mbi nivelin e detit. Ajo është e formuar nga shkëmbinjtë gëlqerorë të Kretës së Sipërmë dhe ka një gjatësi rreth 120 m. Nga banorët e zonës njihet ndryshe edhe si “Shpella e Farricës”. Deri te Shpella e Kabashit ka ecje, rreth 3 orë vajtje-ardhje.

Rekomandohen pajisjet:

Veshmbathje dhe këpucë adekuate për terren malor dhe kushtet e stinës, helmetë (kush ka), dritë koke.

Kanioni i Holtës ndodhet pranë Gramshit, në qarkun e Elbasanit, në Shqipërinë e mesme.

Në Kanionin e Holtës ecja bëhet në shtratin e lumit dhe në disa pjesë kaloni nëpër ujë; niveli mund të arrijë nga kyçet deri në bel, e më thellë, “hiking në kanion + ecje në ujë”.

Duhet pasur me vete:

  Rroba banje ose pantallona të shkurtra sportive që thahen shpejt.

  Atlete të vjetra që mund të lagen ose këpucë të mira për ujë, me kapje të fortë. Jo të ecni zbathur, sepse gurët janë të rrëshqitshëm.

  Peshqir + komplet rrobash të thata për pas përfundimit të ecjes.

Ujëvara e Sotirës, ndodhet pranë fshatit Sotirë, në zonën e Gramshit, dhe është shpallur Monument Natyror. Ujëvara bie nga një shkëmb mbi 100 metra i lartë, duke krijuar disa kaskada mbi terrenin gëlqeror.

Programi

E shtunë, 26 shtator 2026

  • Nisja nga Prishtina në ora 06:00, nga Fontana në Ulpianë.
  • Prishtinë – Elbasan — Gramsh
  • Vizitë në Shpellën e Kabashit
  • Fjetja në Gramsh.

E diel, 27 shtator 2026

07:00 -14:00, vizitë të Ujvara e Sotirës dhe Kanjonit të Holtës.

14:00, nisja për Prishtinë.

Transporti

Transporti do të organizohet me xhipin e ShBAP-së, dhe me vetura private (varësisht nga numri i pjesëmarrësve)

Kostoja

  • Transporti: 50 EUR
  • Fjetja: rreth 20 EUR
  • Ushqimet: individuale

Paraqitja

Paraqitja bëhet përmes formularit.

Afati i fundit për paraqitje:
E enjte, 24 shtator 2026, ora 18:00.

Përgjegjësia për përgatitjen fizike, psikike dhe pajisjet personale është individuale.

Ju mirëpresim të ndajmë së bashku një fundjavë plot aventura dhe bukuri natyrore në Gramsh!